Z. Alket Hyseni, mori pjesë në Kongresin Botëror të Ligjit, i mbajtur në Santo Domingo nga World Jurist Association, përfaqësoi Shqipërinë në një nga forumet më të rëndësishme globale të drejtësisë, ku morën pjesë mbi 1,500 përfaqësues nga më shumë se 60 vende, përfshirë Madhërinë e Tij Mbretin Filipe VI të Spanjës, Presidentin e Republikës Domenikane Luis Abinader dhe personalitete të shquara ndërkombëtare që konfirmuan angazhimin e tyre të palëkundur për forcimin e shtetit të së drejtës dhe promovimin e vlerave të drejtësisë në nivel botëror.
Gjatë fjalimit të tij, z. Hyseni ndau me audiencën transformimin historik të Shqipërisë, duke theksuar kalimin e vendit nga një nga regjimet totalitare më të ashpra të shekullit të 20-të në një shtet demokratik, i cili u ndërtua mbi reforma të guximshme, veçanërisht në fushën e drejtësisë.
Demokracia, siç theksoi ai, nuk është një destinacion, por një përpjekje e përditshme, e vënë vazhdimisht në provë nga korrupsioni, paqëndrueshmëria dhe tundimi për pushtet.
Në përfundim, z. Hyseni shprehu kënaqësinë dhe nderin që Tirana do të jetë vendi mikpritës i Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, duke konfirmuar kështu angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe promovimin e bashkëpunimit në nivel ndërkombëtar.







